Hamasi i liron tri pengje izraelite, teksa armëpushimi në Gazë vazhdon
Militantët e Hamasit i parakaluan pengjet para një turme njerëzish në jug të Gazës, para se t’i dorëzonin te Kryqi i Kuq, si pjesë e marrëveshjes së luhatshme.
Ushtria izraelite tha se i pranoi tri pengjet: Lair Horn, 46 vjeç me shtetësi izraelite dhe argjentinase; Sagui Dekel Chen, 36 vjeç me shtetësi izraelite dhe amerikane; dhe Alexander (Sasha) Troufanov, 29 vjeç me shtetësi izraelite dhe ruse.
Ata do të marrin tretman mjekësor para se të ribashkohet me familjet e veta, tha ushtria izraelite.
Ata ishin rrëmbyer më 7 tetor 2023, kur Hamasi e sulmoi jugun e Izraelit, duke i vrarë 1.200 njerëz. Tre burrat e liruan u dukën të zbehtë dhe të rraskapitur, por prapëseprapë në gjendje më të mirë fizike sesa tre burrat e liruar të shtunën e kaluar.
Armëpushimi, që nisi pra gati një muaji, ka qenë buzë dështimit në ditët e fundit, për shkak të një mosmarrëveshjeje mes Hamasit dhe Izraelit, me këtë të fundit që kërcënoi se do t’i rifillonte luftimet në Gazë.
Megjithatë, Hamasi tha të enjten se do të vazhdonte me lirimin e më shumë pengjeve, pas bisedimeve me zyrtarë nga Egjipti dhe Katari. Ai tha se ndërmjetësit kishin premtuar të do t’i "hiqnin të gjitha pengesat" në mënyrë që Izraeli të lejonte futjen e më shumë shatorreve, furnizime mjekësore dhe ndihma të tjera thelbësore në Gazë.
Ky do të jetë shkëmbimi i gjashtë mes Hamasit dhe Izraelit që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 19 janar. Deri më tani, 21 pengje dhe mbi 730 të burgosur palestinezë janë liruar gjatë fazës së parë të marrëveshjes.
Zyra e Informacionit të të Burgosurve, e lidhur me Hamasin, tha të premten se 369 palestinezë pritet të lirohen nga burgjet izraelite të shtunën. Ajo tha se 36 prej tyre po vuanin dënime me burgim të përjetshëm.
Nga 251 personat e rrëmbyer, 73 po mbahen ende në Gazë, por besohet se rreth gjysma e tyre janë të vdekur. Pothuajse të gjitha pengjet e mbetura janë burra, përfshirë ushtarë izraelitë.
Armëpushimi mbetet shumë i brishtë
Në ditët e fundit, armëpushimi dukej në prag të dështimit.
Hamasi kishte thënë se do ta shtynte lirimin e pengjeve, duke e akuzuar Izraelin për mosrespektimin e marrëveshjes duke mos lejuar hyrjen e mjaftueshme të shatorreve, furnizimeve mjekësore, karburantit dhe pajisjeve të rënda për pastrimin e rrënojave. Izraeli tha se do t’i riniste luftimet të shtunën nëse pengjet nuk do të liroheshin.
*Video: Marrëveshja për armëpushimin Izrael-Hamas: Çfarë pritet tani?
Derisa kriza e menjëhershme mund të jetë shmangur, armëpushimi përballet me një sfidë shumë më të madhe pasi faza e parë e marrëveshjes pritet të përfundojë në fillim të marsit.
Ende nuk ka pasur bisedime thelbësore për fazën e dytë, sipas të cilës, Hamasi do t’i lironte të gjitha pengjet e mbetura në këmbim të përfundimit të luftës.
Mbi 90% e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës u detyruan të zhvendosën gjatë luftës. Qindra mijëra janë kthyer në shtëpitë e tyre pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, megjithëse shumë prej tyre kanë gjetur vetëm rrënoja, mbetje njerëzore të varrosura dhe municione të pashpërthyera.
Lufta ka vrarë mbi 48.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk specifikon se sa prej tyre ishin luftëtarë. Izraeli thotë se ka vrarë mbi 17.000 militantë, pa dhënë prova.