Shefi i UNMIK-ut bën thirrje që çështja e targave të zgjidhet përmes dialogut
Ai ka thënë se veprimet e njëanshme bartin me vete rrezikun e përshkallëzimit dhe duhet të shmangen në interes të paqes dhe sigurisë së popullatave.
Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.
Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.
Jarinja dhe Bërnjaku, dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës - ku popullsia është shumicë serbe - janë bllokuar nga banorët lokalë që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.
Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i heqin plotësisht targat e përkohshme për të zgjidhur situatën e krijuar.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se Kosova duhet të ndryshojë vendimet e saja “të këqija” ose në të kundërtën, shteti i tij do të ndërmarrë masa, pa specifikuar se për çfarë masash bëhet fjalë.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë thirrje të mërkurën për ulje të menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës, duke thënë se “të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, nga nisja e tij në vitin 2011, mbeten valide dhe obliguese për të dyja palët”.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.