Pesë anëtaret e përhershme në KS të OKB-së kërkojnë Afganistan stabil
Të pesë fuqitë dëshirojnë “Afganistan paqësor dhe stabil, ku mund të dërgohet ndihmë humanitare pa probleme dhe pa diskriminim”, u ka thënë Guterres gazetarëve pas takimit.
Ata kërkojnë “Afganistan ku të drejtat e grave dhe vajzave respektohen dhe Afganistani nuk është strehë për terrorizëm, një Afganistan me qeveri që përfaqëson të gjithë popullsinë”, ka thënë ai.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës dhe Rusisë, janë takuar personalisht në margjina të Asamblesë të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Homologu i tyre kinez u është bashkuar virtualisht për bisedime.
Marrja e shpejtë e pushtetit nga talibanët, muajin e kaluar në Afganistan, ndërkohë që po tërhiqeshin forcat e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, ka rritur shqetësimet se Afganistani mund të bëhet strehë për militantët islamistë, që planifikojnë të sulmojnë Perëndimin.
Kina dhe Rusia e kanë përshkruar fitoren e talibanëve si humbje për Shtetet e Bashkuara dhe kanë nisur punën me talibanët, ndonëse ende nuk e kanë njohur Qeverinë e drejtuar nga ata.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka kërkuar heqjen e bllokadave për asetet e Afganistanit dhe rikthimin e programeve përmes Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar asetet e bankës qendrore të Afganistanit, dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndalur lëshimin e fondeve për Qeverinë e drejtuar nga talibanët.