Mesazhet e Grenellit - Taksa dhe dialogu mbi supet e qeverisë së re
Sipas tyre, vizita e ambasadorit Grenell në Kosovë, tregon seriozitetin Shteteve të Bashkuara të Amerikës në interesimin e tyre që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të fillojë sa më parë.
Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme nëse Qeveria e ardhshme e Kosovës, do të jetë në gjendje që të vendosë menjëherë për heqjen e kësaj takse.
Për formimin e qeverisë së re, tashmë zyrtarisht është mandatar lideri Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili synon një koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kryetar i së cilës është Isa Mustafa.
Liderët e të dy partive, të enjten, kanë zhvilluar takime, veç e veç, me ambasadorin Grenell.
Analisti politik, Agon Maliqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se porosia e parë e ambasadorit Grenell, nënkupton që SHBA-ja po insiston për formimin e qeverisë, por pa ndërhyrjen e saj se si mund të formohet ajo.
Për më shumë, sipas tij, përmes kërkesës kryesore për heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, SHBA-ja e ka barazuar fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës me çështjen e taksës, duke e akomoduar edhe shqetësimin e Kosovës.
“Unë mendoj që partitë politike në Kosovë, përgjithësisht, kur u kanë ardhur mesazhe të tilla të drejtpërdrejta, sidomos nga nivele kaq të larta nga SHBA-ja, të paktën, të dyja partitë (Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës) duhet të jenë ose mund të jenë të gatshme që ta shqyrtojnë këtë kërkesë. Se a janë të gatshme për ta bërë këtë, mbetet për t'u parë. Por, kjo, po supozoj, mund të jetë ndoshta edhe njëra ndër arsyet për vonesat për formimin e koalicionit. Një farë lloj pasigurie e palëve se si të sillen në këto rrethana, nëse u hidhet një top i nxehtë në tavolinë, menjëherë që në javën e parë”, thotë Maliqi.
Ai shton se praktikat e deritashme kanë treguar se partitë politike në Kosovë i kanë ndryshuar qëndrimet atëherë kur u ka ardhur ndonjë kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos kur kërkesa vjen nga i dërguari special dhe me lidhje të drejtpërdrejta me presidentin e Donald Trump.
Analisti tjetër politik, Armend Muja, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që vizita e ambasadorit Grenell, duket si koincidencë me vonimin për krijimin e qeverisë në Kosovë, por ai ka kërkuar krijimin e kësaj qeverie.
Heqja e taksës ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nga ana e Kosovës, të cilën e kërkon ambasadori Grenell, sipas tij, do të ishte masë mirëbesimi për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Por, Muja nuk beson që heqja e taksës do të jetë në agjendën e qeverisë në pjesën e parë të këtij viti. Për më shumë, sipas tij, partitë politike që do të krijojnë qeverinë e ardhshme, do të kenë presion të madh të brendshëm, që kjo masë të mbetet në fuqi.
“Do të ketë presion që të ofrohet diçka si shkëmbim. Unë mendoj që vetëm liberalizimi potencial i vizave mund ta shtendosë qeverinë e ardhshme që ta marrë një vendim të tillë. Taksa, me të gjitha kundërshtitë dhe kontroverset, është një instrument që Kosova e ka përdorur si rezultat i ç’njohjeve për një kohë të gjatë, por edhe për shkak se ka popullaritet brenda vendit. Tash, duhet një ofertë tjetër e madhe, që është po aq popullore, për të shtendosur mjedisin politik për marrjen e një vendimi”, thekson Muja.
Më 21 janar, ambasadori Grenell ka ndërmjetësuar nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërmjet avio-kompanisë gjermane Lufthansa me autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë, për të hapur linjën ajrore Prishtinë – Beograd.
Njohësit e zhvillimeve politike vlerësuan se ky ka qenë një hap paralajmërues se Shtetet e Bashkuara do të intensifikojnë përfshirjen e tyre në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në këtë mënyrë, do t’ia marrin primatin në këtë proces Bashkimit Evropian, i cili deri më tash e ka lehtësuar dialogun ndërmjet dy vendeve në Bruksel.
Për më shumë, sipas tyre, Bashkimit Evropian është treguar i pafuqishëm në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Siç thanë ata, së fundmi, trupat kryesorë të BE-së kanë treguar se nuk kanë pasur njohuri për marrëveshjen për të hapur linjën ajrore Prishtinë - Beograd.
Sipas tyre, pritet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania, si shteti më i fuqishëm brenda Bashkimit Evropian, të jenë në krye të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që do ta zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve.