Talibanët përdorin gaz lotsjellës ndaj grave protestuese
Raportohet se të paktën një grua u plagos.
Një video e shpërndarë në mediat sociale tregonte sesi një gruaje i rridhte gjak nga një plagë në kokë.
Gratë afgane kanë mbajtur protesta gjatë dy ditëve të fundit, duke kërkuar barazi, drejtësi dhe demokraci.
Një tubim i ngjashëm u mbajt në fillim të kësaj jave në qytetin perëndimor të Heratit.
Më 4 shtator, gratë protestuese u mblodhën para pallatit presidencial në Kabul dhe mbajtën pankarta ku shkruhej: "Ne nuk jemi gra të viteve 90-ta".
Pamjet e publikuara në mediat sociale treguan sesi gratë u përballën me talibanët e armatosur.
Disa gra mund të shiheshin duke u kollitur nga gazi lotsjellës, ndërsa disa të tjera thanë se ishin rrahur.
Grupi militant ka thënë se do të respektojë të drejtat e grave, sipas rregullave të ligjit islamik- Sheriatit.
Një udhëheqës i lartë taliban, Sher Mohammad Abbass Stanekzai, i tha BBC-së më 31 gusht se ai nuk mendonte se gratë do të emëroheshin në poste të larta në qeverinë e tyre, por tha se ato do të kenë një rol.
Talibanët e sunduan Afganistanin midis viteve 1996 dhe 2001. Ata nuk i lejuan gratë të punonin, vajzat nuk lejoheshin të ndiqnin shkollën dhe gratë duhej të mbulonin fytyrat dhe të shoqëroheshin nga një i afërm mashkull, nëse donin të dilnin nga shtëpitë e tyre.
Ato që shkelën rregullat ndonjëherë u dënuan me rrahje publike nga policia fetare e talibanëve.
Pasi morën kontrollin e Afganistanit pas 20 vjetësh të prezencës së huaj ushtarake, talibanët tani janë nën vëzhgimin e udhëheqësve perëndimorë nëse kanë ndryshuar, përfshirë edhe mënyrën se si i trajtojnë vajzat dhe gratë.
Shumë vende dhe organizata kanë shprehur dyshime në lidhje me premtimet e talibanëve se kësaj rradhe do të sundojnë ndryshe.